Rama: Meta President i pranueshëm edhe për PD-në

27/04/2017 00:00

Enigma se kush do të jetë president është zgjidhur brenda pasdites së të enjtes. Atëhere kur ishin shumë të paktë ata që besonin se Ilir Meta mund të zgjidhej president, ky u bë fakt i kryer.

Pas skadimit të 3 raundeve të para dhe pas kërkesës së socialistëve se presidenti duhet të zgjidhej deri të premten, ose përndryshe zgjidhja ishin zgjedhjet e parakohshme, forumet e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodhën me urgjencë dhe u propozuan socialistëve dy kandidatura.

Të parin renditën Petrit Vasilin dhe të dytin Ilir Metën. Por përfundimi dihej. Ajo që socialistët e quajtën negociate te “Vila 30” mes palës socialiste dhe asaj të LSI-së, u finalizua me vendimin unanim të Kryesisë së Partisë Socialiste.

“Kryesia e PS, pasi u njoh me propozimet e ardhura nga strukturat drejtuese të LSI-së, vendosi në mënyrë unanime që nga këto dy kandidatura të mbështesë atë të zotit Ilir Meta”, tha Taulant Balla.

Rrethanat e marrëveshjes Rama-Meta për zgjedhjen e bashkëkryetarit të koalicionit në krye të shtetit mbeten të paqarta, sepse Ilir Meta kishte deklaruar se do ta refuzonte këtë post dhe do të drejtonte LSI-në në fushatën elektorale.

Megjithatë, Edi Rama e dha një shpejgim edhe për rrethanat.

“Jo Ilir Meta nuk ka dashur asnjëherë të jetë president. Edhe sot, Meta është kandidat për president që vjen i natyrshëm, sepse është situata e tillë që kërkon Metën president”, tha Rama në “Top Story”.

Sokol Balla: Pse u duk sikur e kërcënuat sot në orën 15 me fjalimin e zotit Ruçi?

Edi Rama: Ka pasur tension sepse Ilir Meta në çdo sekondë mendon si të zgjidhet kjo çështje. Mirëpo ka një kufi, një moment, një ditë që thuhet a u bënë të gjitha? Fjalimi i Gramozit ishte për të thënë se çdo gjë ka një kufi, PS i bëri të gjitha.

Zgjidhja e enigmës së presidentit nuk e zgjidh krizën politike, por të paktën besohet se ka qartësuar qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, tashmë jo në një koalicion me Partinë Socialiste.

“Sot unë jam shumë i qetë përpara shqiptarëve, sepse realisht president më me PD-në, por jo i PD-së, sesa Ilir Meta ne nuk mund të gjenim dot as në PD. Kështu që nga kjo pikëpamje është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi parë deri më tani. Është një president që realisht është i lidhur me të gjithë, ka qasje te të gjithë, flet me të gjithë, u thotë të gjithëve çfarë mendon. Këtë punë do të bëjë edhe si president. Një zgjidhje ideale edhe për PD-në, pavarësisht se mund të dalë e të thotë çfarë të dojë tani. Ilir Meta është i prerë për të qenë me të gjithë dhe me asnjë”, deklaroi Rama.

Top Channel