
Në një deklaratë të shkurtër për shtyp pak pas orës 22 të kësaj mbremjeje, pas shpërthimit të dhunës në ambientet jashtë e brenda Kuvendit të Maqedonisë, presidenti Gjorge Ivanov u ka bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi dhe për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës.
Ai ftoi gjithashtu udhëheqësit e partive politike në një takim të ditës së premte në Presidencë, duke thënë se nuk ka asnjë situatë që nuk gjen zgjidhje. Edhe pse gjatë fjalimit foli për shkelje proceduriale në punimet e sotme të Kuvendit, ku u zgjodh nga shumica e re parlamentare kreu i ri Talat Xhaferi.
Ivanov, ndryshe nga herët e tjera nuk përmendi platformën shqiptare dhe as nuk foli për plagosjen e disa deputetëve, me në krye Zoran Zaevin e LSDM-së dhe Zijadin Selës të LR-PDSH-së.
Ndërkohë, forcat speciale të policisë maqedonase kanë ndërhyrë në Kuvend për të nxjerrë pjesë-pjesë deputetët e bllokuar brenda ndërtesës nga protestuesit e dhunshëm nacionalistë maqedonas, sikurse edhe shumë gazetarë. U dëgjuan disa shpërthime shashkash në Kuvend përpara hyrjes së policisë, por nga sa ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Maqedonisë, këto ishin masa policore për të zmbrapsur turmën e protestuesve.
Top Channel