Dhuna në Maqedoni, Rama: Shqiptarët të mos bien pre e provokimeve

27/04/2017 00:00

Intervistën në Top Story, Kryeministri Edi Rama e nisi me situatën në Maqedoni. Ai bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe ftoi shqiptarët që të mos bien pre e provokimeve.

“Ajo që dua të them me shumë sinqeritet dhe këmbëngulje është që shqiptarët në Maqedoni të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, të jenë shembull sesi ne të gjithë së bashku nuk duam fundin e Maqedonisë, por duam stabilitetin dhe demokratizimin e metëjshëm. Është një moment ku realisht duhet shumë qetësi”, tha ai.

Ai hodhi sërish poshtë pretendimet e partisë së Gruevskit se platforma e partive shqiptare është hartuar me ndërhyrjen e Tiranës.

“Më vjen shumë keq që u ngrit një strategji dritëshkurtër politike duke vendosur shqiptarët në shënjestër dhe duke përdorur të ashtuquajturën platformë të tiranës si sebepe. E vërteta është që vetë VMRO dhe Gruevski e kanë pranuar në bashkëbisedimin që kanë patur me Ali Ahmetin, gjithçka që ka të bëjë me atë që më pas u mallkua si platforma e Tiranës. Arsyeja pse nuk funksionoi marrëveshja ata e dinë shumë mirë”, u shpreh Rama.

Rama i qëndroi një deklarate të mëhershme të dhënë po në Top Story “për forca dhe shtete që nuk ja duan të mirën vendit tonë”.

“Shqipëria nuk ka vetëm miq dhe partnerë të çmuar, ka edhe forca, shtete që nuk është se ja duan fort të mirën dhe që mund të përfitojnë nëse ju krijohet hapësirë për të nxitur tundimet e brendshme destabilizuese”, tha ai.

Megjithatë, ai përjashtoi rikthimin e ‘97.

“Por dua që të gjithë ta kenë të qartë se Shqipëria nuk kthehet më 20 vjet pas dhe se nuk ka shans asnjë forcë brenda apo jashtë shqipërisë që të destabilizojë vendin dhe të bllokojë shqiptarët që të vazhgdojnë rrugën e nisur dhe ta pengojnë shqipërinë në rrugën e nisur”, shtoi Rama.

Kryeministri foli edhe për reagimin e Vuçiç pas intervistës së dhënë prej tij për Politicon.

“Aleksandër Vuçiç di të lexojë shumë mirë anglisht dhe intervista ime ka qenë shumë e qartë dhe lehtësisht e kuptueshme për të gjithë ata që nuk duan të shfrytëzojnë për ta kthyer në një arsye për t’i fryrë zjarrit të ndasive. Unë nuk kam thënë që e dëshiroj, por kam thënë që do të ishte tërësisht e padëshirueshme që për shkak të bllokimit të proceseve integruese të rriteshin forca nacionaliste dhe të kërkonin rrugë të tjerë. Nga kjo kam përjashtuar veten dhe PS, si dhe forcat aktuale në skenën shqiptare si forca që kërkojnë një rrugë tjetër”, tha Kryeministri.

Rama thotë se bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë e sheh si të pashmangshëm, por në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta