
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, përmes një letre publike njoftoi se nuk do të kandidojë më për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit.
Letra e plotë:
Për 8 vjet, me mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, pata fatin të përfaqësoj në Parlament Qarkun e Tiranës. Një mandat në opozitë e një në mazhorance, gjatë të cilëve shpresoj që duke dhënë maksimumin tim, të kem përmbushur sadopak besimin e dhënë.
Për këtë mundësi, dua të falenderoj të parin kryetarin e PS, mikun tim Edi Rama, i cili ishte i pari që besoi tek unë dhe shumë të tjerë si unë, duke thyer shumë tabu, përfshirë atë të mospërfaqësimit të sipërmarrjes në PS e në Parlament. Falë asaj largpamësie, sot qasja e PS dhe e Qeverisë ndaj sipërmarrjes është transformuar në një marrëdhënie besimi, shërbimi e respekti reciprok, frutet e të cilës do i shohim çdo ditë e më shumë.
Falenderoj kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, që me seriozitetin dhe me urtësinë e tij vazhdon të jetë një garanci e madhe e ruajtjes së ekuilibrave në reformimin e vazhdueshëm e pozitiv në Partinë Socialiste. Pavarësisht rrënjëve tradicionale të tij, mbetet një nga njerëzit më të hapur e më mbështetës të modernizimit të kësaj familjeve të madhe dhe një mik i shtrenjtë për gjithsecilin nga ne.
Falenderoj gjithë kolegët deputetë socialistë, me të cilët kemi ndarë beteja të rëndësishme në opozitë e sfida vendimtare gjatë 4-vjeçarit të qeverisjes me reformat e papara ndonjëherë në historinë e tranzicionit.
Falenderoj të gjithë drejtuesit, anëtarët dhe votuesit e PS në rrethin e Tiranës, në Kashar, Vaqarr, Pezë, Ndroq, Vorë, Prezë, Farkë e Bërxull, me të cilët ndava sfidat e vështira të riorganizimit dhe në sajë të kontributit të madh të gjithsecilit prej tyre, arritëm të reformojmë totalisht Partinë Socialiste në rrethin e Tiranës, duke e kthyer mbas shumë vitesh në forcë fituese absolute në secilën prej këtyre njësive.
Me këto falenderime po i paraprij vendimit për të moskandiduar një mandat të tretë si deputet me garancinë se mirënjohja dhe kontributi im për vendin dhe Partinë Socialiste nuk mbyllet me këtë vendim. Përkundrazi, janë të pafundme dimensionet dhe hapësirat për cilindo që do të kontribuojë, të cilat nuk kushtëzohen e as nuk mund të mbyllen vetëm në sallën e Parlamentit.
Jam shumë i bindur se do ia dalim të kapërcejmë edhe këtë situatë të vështirë, ku tentojnë të na fusin jo vetëm drejtuesit e Partisë Demokratike, por të gjitha forcat e errta antishqiptare të aktivizuara në maksimum për të bllokuar këtë rilindje historike të shqiptarëve në Ballkan.
Edhe unë, si pjesa më e madhe e shqiptarëve, jam krenar që jam pjesë e kësaj force politike, drejtuar nga Edi Rama, e cila është shpresa dhe garancia e vetme dhe e madhe e çdo shqiptari patriot që e do Shqipërinë pjesë të Europës, që e do këtë vend të bukur e drejt rrugës së zhvillimit, që i do shqiptarët krenare e dinjitoz dhe pas shumë shekujsh, të ndihen dhe të respektohen si mirëfilli europian.
Top Channel