
“Reporterët pa kufij” i radhitën Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve me përparim të lehtë, në një kohë rënieje të lirisë së medias në botë.
Shqipëria është ngjitur në vendin e 76 nga 180 shtete, me një përmirësim prej 6 vendesh krahasuar me vitin që shkoi, kur rreshtohej e 82-ta. “Ka vend edhe për më mirë”, sipas raportit, që citon këtu përfundimin e Komisionit Europian në vitin 2015. Ai del në përfundimin se lipset një implementim më i mirë i legjislacionit që garanton lirinë e shprehjes.
Në dokument kujtohet se, prej vitit 2012, shpifja është dënuar me gjoba dhe jo me burg. “Pavarësisht ligjeve të informacionit të miratuara që në vitin 1999 e vitin 2014, qasja ndaj informacioneve shtetërore vazhdon të jetë e limituar dhe autoritetit rregullator i medias, AMA është e politizuar”, thuhet në pjesën e dokumentit kushtuar Shqipërisë.
Në përgjithësi, “Reporterët pa kufij” vlerësojnë se në botë ka rënie të thellë dhe shqetësuese të lirisë së medias. Aty sqarohet se, me uljen e shkallës së demokracisë, retorikën helmuese, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike, si dhe shtimin e udhëheqësve autoritarë në botë po rritet numri i vendeve, ku liria e shtypit është më e kërcënuar se kurrë.
Nga vendet e rajonit, në pozicion më të mirë qëndron Bosnje-Hercegovina, e radhitur në vendin e 65-të, e pasuar nga Serbia në vendin e 66, Kroacia në vendin e 74-t dhe Mali i Zi në vendin e 106. Në pozitën më të rëndë është Maqedonia, e cila renditet në vendin e 111.
Megjithatë, në grafikën globale të lirisë së shtypit, shtetet e Ballkanit janë të ngjyrosura me portokalli, ngjyrë që tregon se kanë probleme të ndjeshme me lirinë e medias.
Top Channel