Denoncimi i Fiks Fare: Tender fiktiv në Spitalin e Beratit

26/04/2017 00:00

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës bërjen e një tenderi fiktiv në Spitalin Rajonal të Beratit. Një punonjës i njësisë së prokurimit “gaboi” me datat e njoftimit të fituesit, duke sjellë kështu skualifikimin e një firme private, pavarësisht se ajo ishte paraqitur në spital me të gjithë mallin.

Pas denoncimit të rastit në polici dhe në Fiks Fare, Spitali i Beratit anuloi procedurën e parë të prokurimit, duke e rihedhur edhe njëherë në sistem.

Në emisionin investigativ Fiks Fare u ankua Xhelil Meta, menaxheri i shitjeve në firmën “4 K Trading Albania”. Ai ankohet se më datë 29 mars 2017 është paraqitur një kërkesë për ofertë nga Spitali i Beratit, ku firma që ai përfaqëson ka dalë e treta në renditje. Tenderi ishte për letër A4 me një fond prej 2.7 milionë lekë të vjetra.

“Na është bërë njoftimi në datën 11 prill, ora 16.38, që të paraqiteshim brenda 24 orëve. U paraqita me dokumentacionin dhe me mallin në orën 13.30 të nesërmen, pra më datë 12 prill. Takova punonjësin e spitalit, i cili më tha që të lija dokumentet dhe të vazhdoja. Kam fotografuar makinën e hapur me letrat brenda. I kërkova rojës të më firmosë diçka që makina ishte brenda, por nuk pranoi. Ne na skualifikuan pa të drejtë” thotë z.Meta. Ai thotë se, po më datë 12 prill, ka shkuar në polici, ku ka bërë një denoncim.

Menaxheri i shitjeve në firmën private i vuri në dispozicion Fiksit video dhe foto kur ka qenë brenda në Spitalin e Beratit. Në video duket qartë se furgoni i kompanisë private është në oborrin e spitalit.

Pas pretendimit, gazetarët e Fiksit udhëtojnë drejt Beratit, ku bisedojnë me anëtarët e prokurimeve në Spitalin Rajonal. Punonjësi thotë se njoftimin e kanë bërë në datë 10 prill dhe i jep gazetarit një dokument, që shpalljen e ka bërë në datë 10 prill. Ai thotë se firma u paraqit pas dy ditësh jashtë afatit.
Firma “4 K Trading Albania” tha se njoftoi për këtë pretendim Agjencinë e Prokurimit Publik për datën kur ishin njoftuar si fitues. Nga APP-ja morën përgjigje se shpallja është bërë në sistem në datën 10 prill në orën 15.50, por publikimi i njoftimit të fituesit është bërë nga nëpunësi i autorizuar në datën 11 prill, ora 16.38.

Pas pretendimeve të firmës “4 K Tradine ALbania” dhe Spitalit Rajonal Berat, Fiks Fare i dërgoi një kërkesë zyrtare Agjencisë së Prokurimit Publik, duke i kërkuar një informacion për këtë tender. Përgjigjja e APP-së ishte se: Krijimi i njoftimit të fituesit është bërë në sistem në datën 10 prill 2017, por publikimi i saj nga nëpunësi i autorizuar (i spitalit) është bërë në datë 11 prill 2017, ora 16.38 dhe, në këtë moment, sistemi ka dërguar mesazhin njoftues firmës ‘4 K Tradine ALbania’.

Pra, “gabimi” është bërë pikërisht nga nëpunësi i Spitalit Berat, i cili duhet të njoftonte menjëherë firmën për dorëzimin e mallit. Pas ankesës së përfaqësuesit të firmës në prokurori dhe interesimit të Fiksit, Spitali Berat ka anuluar tenderin e parë dhe ka rihedhur edhe njëherë shpalljen e tenderit për blerje mjete kancelarie.

Top Channel