
Policia e Shtetit ka deklaruar se do të procedojë penalisht pjesëmarrësit në protestën e opozitës në qytetin e Lushnjes, ku u bllokuan akset kryesore rrugore.
Policia ka bërë me dije se ka bërë dokumentimin e nevojshëm për procedim penal për 140 pjesëmarrës në protestën e paligjshme, mes të cilëve:
deputeti Arben Ristanin, Myslim Murrizi, Liljana Elmazi, Roland Bejko, Lefter Maliqi, Luan Baçi, Agron Kapllani dhe Moisi Meminaj, të cilët drejtonin protestën.
Personat në fjalë po hetohen për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Më herët gjatë pasdites së të hënës, Policia e Shtetit deklaroi se protesta e opozitës ishte e paligjshme pasi nuk pati leje nga strukturat e ruajtjes së rendit.
“Pretendimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme, se ata thjesht e lajmërojnë Policinë dhe e bëjnë tubimin edhe aty ku kërcënohet siguria e qytetarëve apo pengohet seriozisht qarkullimi i njerëzve e mallrave, është i papranueshëm ligjërisht”, deklaroi policia.
Policia e Shtetit nënvizoi se, megjithë rezistencën e disa prej organizatorëve të mitingjeve të paligjshme, ajo mundi me sukses të devijojë qarkullimin e mjeteve në disa akse dytësore dhe rrugë paralele, për të lehtësuar trafikun e rënduar dhe shmangur bllokimin e qytetarëve.
“Protesta e sotme e opozitës u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse”, vijoi policia në qëndrimin e saj.
Ajo bëri me dije se, gjatë mbajtjes së tubimeve ka konstatuar përgjegjësitë e organizatorëve të tyre, të cilët kanë shkelur hapur ligjin, kryesisht sa i takon qarkullimit rrugor.
“Për këtë arsye, policia po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale. Këto veprime do t’u paraqiten prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale”, tha Policia e Shtetit.
Top Channel