
Në Kalimash nisi punën fabrika e pasurimit të kromit, “Eurochrome”, një investim shqiptaro-austriako-suedez. Në të është instaluar teknologjia më moderne, e cila do të përdorë një metodë krejtësisht të re, që ka për qëllim ruajtjen e mjedisit.
“Po ndërtojmë një impiant shumë modern, në avantgardë, që është shumë efikas përsa i përket energjisë, si dhe përsa i përket ruajtjes së të gjitha energjive, që respekton mjedisin. I gjithë uji ynë do të shkojë në qark të shkurtër, nuk përdorim asnjë lloj kimikati dhe nuk kemi rrjedhje”, tha përfaqësuesi suedez.
I pranishëm në përurimin e saj ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shprehu mbështjetje për zgjerimin e investimit në shfrytëzimin e mineraleve.
“Jemi me fat që kemi këto mundësi dhe ka njerëz që bëjnë këto investime. Ne vetëm letra kemi, e letrat duhet t’i bëjmë me shpejtësinë më të madhe. Nuk më besuat kur ju thashë do ta bëjmë menjëherë lejen, më patë me dyshim”, tha Rama.
Kapaciteti përpunues i fabrikës është 40 mijë tonë në vit mineral i parapasuruar dhe koncentrat kromi. Në të janë punësuar deri tani rreth 150 persona dhe vetëm faza e parë e investimit kap një vlerë prej 3.5 milionë eurosh.
Top Channel