Dëmet në bujqësi, i ftohti shkatërron të mbjellat në Dibër e Korçë

23/04/2017 00:00

Vala e të ftohtit që ka përfshirë rajonin e Dibrës me temperatura nën zero për tri net radhazi ka shkatërruar pothuajse plotësisht kulturat bujqësore në këtë qark.

Specialistët e bujqësisë janë në terren për verifikimin e dëmeve, e sipas tyre dëmi në qershi, kumbulla, arra dhe vreshtari është në masën 100%, ndërsa në kulturat e tjera ka ende shpresë.

Fermerët kërkojnë nga qeveria të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara, minimalisht shpenzimet për punimet dhe pesticidet.

Temperaturat e ulëta kanë dëmtuar prodhimet bujqësore edhe në disa zona të Korçës, që shquhet kryesisht për prodhimin e mollëve. Në fshatin Dvoran janë 1.300 ha sipërfaqe të mbjella me qershi dhe mollë që janë dëmtuar.

Zonën e vizitoi vet zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili i siguroi banorët se nuk do të mungojë mbështetja e qeverisë për dëmshpërblimin, por nga ana tjetër ngriti edhe shqetësimin për mungesën e sigurimit të prodhimeve bujqësore.

Por banorët shprehen se janë të gatshëm për ta siguruar prodhimin e tyre, mirëpo kompanitë e sigurimit kanë refuzuar, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë.

Top Channel