Kultivimi i hashashit dhe korrupsioni janë dy shqetësimet kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili, duke përfituar nga takimi me ministrin e Drejtësisë, u kujtoi edhe një herë vartësve se prioriteti i hetimeve duhet të jenë këto dy krime.

Por, ndërsa pranoi se shifrat mbeten të ulta për autorët e të dyja këtyre veprave, Prokurori i Përgjithshëm deklaron, në kulmin e fushatës antihashash, se ngarkesat e drogës nuk po asgjësohen sipas ligjit.

“Edhe mënyra e administrimit të provave materiale mbetet shqetësim. Ka mospërfshirje të prokurorëve në mënyrën se si sekuestrohen e asgjësohen lëndët narkotike. Droga e sekuestruar nuk po asgjësohet sipas ligjit”, tha Llalla.

Por, në rekomandimet e përcjella nga qeveria nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, në vend të parë ishte radhitur pavarësia e prokurorisë e më tej lufta ndaj krimit të organizuar.

“Miratimi i pavarësisë së prokurorisë, luftë kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht kundër trafikut, respektim i të drejtave të personave vulnerabël dhe përmirësim i bashkëpunimit ndërinstitucional. Qeveria duhet të jetë e pakursyer për fondet që vë në dispozicion për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike. Duhet ashpërsuar politika penale për grupet e strukturuara kriminale që trafikojnë kanabis”, tha Vasili.

Një vit më parë, në rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të deleguara përmes ish-ministrit Ylli Manjani, ishte sërish në vend të parë forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe sërish në vend të fundit, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA