Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot vendim mbi kërkesën e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të shtyrë me disa ditë afatin e regjistrimit të partive dhe koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.
Dy partitë aleate që bashkëqeverisin nuk u regjistruan si koalicion zgjedhor dje, në ditën e fundit kur duhet ta bënin këtë hap, sipas afateve të përcaktuara në Kodin Elektoral. Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, të cilët kanë firmosur letrën drejtuar KQZ-së, thonë se e bazojnë kërkesën tek dhënia e një shansi më shumë “për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet parlamentare të datës 18 qershor”.
Por, Partia Demokratike e ka hedhur poshtë këtë ofertë. Edhe Edi Paloka i nisi një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i shkruan të kundërtën e argumenteve të aleatëve qeveritarë. Një vendim pro shtyrjes, sipas Partisë Demokratike, “jo vetëm është antiligjor dhe do ta përvijonte KQZ-në si institucion thellësisht politik në duart e qeverisë, por do të paragjykonte çdo lloj zgjidhjeje politike të krizës së thellë në vend”.
Top Channel