Zbutet akuza ndaj “Ben Çamit”, Prokuroria: Nuk kallëzoi drogën

18/04/2017 00:00

Shfryhet buja e dosjes së mëse 500 kilogramëve hashash me të pandehur Lutfi Shabanin i njohur ndryshe si Ben Çami.

Me kërkesë të organit te akuzës, një vit më parë gjykata vendosi ndaj Shabanit “arrest me burg” për dyshimet se kishte organizuar trafikimin e ngarkesës me drogë nga Shqipëria drejt Turqisë.

Por tashmë ky qëndrim i organit të akuzës ka ndryshuar. Lutfi Shabani do të përballet me gjykatën për veprën e moskallëzimit të krimit.

Ndërkohë që akuza e trafikut të narkotikëve u ka ngelur vetëm dy transportuesve të kësaj ngarkese, shtetasve Eldi Zahiri dhe Janaq Kaceli. Ky i fundit, në seancën e parë, e shfaqi pakënaqësinë ndaj hetimeve të Prokurorisë.

“Avash mor burrë se nuk jam Bin Laden unë, s’duhet të më bije mua këtu”, tha para gjykatës i paraburgosuri Janaq Kaceli.

Prokuroria shpjegon në lehtësimin e akuzës për Lutfi Shabanin se i pandehuri kishte dijeni që personi me emrin Lenci dispononte sasira droge.

Sipas Prokurorisë, Shabani ndërmjetësoi që personi, i cili nuk dihet ende se kush është, të lidhej me dy transportuesit, njëri prej të cilëve shofer dhe tjetri pronar i kamionit. Por sipas Prokurorisë, i pandehuri Shabani nuk mund të akuzohet për trafik pasi ai ka qenë në dijeni të krimit që po kryhej dhe nuk e ka kallëzuar atë pranë organeve të ndjekjes penale. Avokati i tij Detar Hysi shmangu të përgjigjej se përse ndryshoi kualifikimi i veprës.

Lutfi Shabani ka dalë përpara drejtësisë edhe në dy raste të tjera për trafik heroine, por ja ka dalë mbanë t’i mbyllë llogaritë me të shumë shpejt.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta