Impianti i mbetjeve, Rama në Elbasan: Do të largojmë mortjen

18/04/2017 00:00

Në Elbasan u inaugurua impianti i ri i mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë. Kreu i qeverisë vlerësoi punën që është bërë për shndërrimin nga një park plehrash në një impiant të teknologjisë së fundit.

“Sot kjo është një mortje që i përket të shkuarës dhe pamë nga afër një impiant që është një shëmbëlltyrë e teknologjisë së fundit, investim për të cilin jemi krenarë, duke parë parametrat e tij dhe të mirat që do të sjellë për mjedisin dhe ekonominë. Ishim vendi më i prapambetur me bombë ekologjike deri 3 vite më parë, sot jemi në pararojë të përparimit teknologjik për t’i dhënë fund historisë së kthimit të mjedisit në një hapësirë ku plehrat kanë bërë kërdinë historikisht që pas rënies së regjimit. Sot, këtë impiant nuk e ka askush në rajon dhe nuk keni parë gjë akoma”, tha Rama.

Kryeministri ftoi LSI që të njëjtin projekt të mund ta realizojë edhe në Fier: “I ftoj edhe kolegët e LSI-së që një impiant të tilla ta ndërtojmë edhe në Fier”.

Ndërsa bëri një përshkrim të asaj se si ishin qytetet 3 vjet e gjysmë më parë, nisur nga shembulli i Elbasanit, Edi Rama tha se sot, pas transformimit të qyteteve, përmes rilindjes urbane, është edhe më i bindur se Shqipëria do të bëhet.

“Kur sheh këtë vepër e ke parasysh se nga u nisëm kur i hymë detit në këmbë për të ndërtuar këtë impiant, atëherë thua gjithçka është e mundur. Nëse 3 vjet më parë kam besuar se Shqipëria bëhet, sot jam shumë herë më i bindur se Shqipëria do të bëhet”, tha Rama.

Impianti i ri i mbetjeve urbane është një vepër inxhinierike unike në vendin tonë, që do të prodhojë energji elektrike përmes përdorimit të mbetjeve urbane si lëndë djegëse. Përreth këtij impianti është mbjellë me bar 10 mijë metër katror si dhe 1050 pemë dhe fidanë dekorativë frutorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB