I shoqëruari arratiset nga komisariati, në hetim gjashtë policë

17/04/2017 00:00

Gjashtë efektivë të policisë së Shkodrës do të hetohen nga SHCBA pasi një 24-vjeçar i shoqëruar ka mundur të largohet nga ambientet e komisariatit të policisë.

Njoftimi zyrtar i policisë bën të ditur se tre persona u shoqëruan në polici pas një konflikti për motive të dobëta me dy të tjerë, ende të paidentifikuar.

Zanafilla e ngjarjes shënon rreth orës 03.00 të mëngjesit të së dielës në lagjen “Tom Kola”, ku është dëmtuar xhami i parë si dhe është qëlluar me armë zjarri pistolete xhami i pasëm i automjetit tip Benz, me targë AA487AN, i cili ka qënë i parkuar dhe është në pronësi të shtetasit N. L, 51 vjeç, banues në lagjen Skëderbeg.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja model 54 kalibri 7.62 mm, automjeti i dëmtuar dhe automjeti AA740GN, që është në përdorim nga shtetasi Zef Sokoli dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Në lidhje me këtë rast si autorë të dyshuar u arrestuan Zef Sokoli, 24 vjeç, Valentin Ndreu, 23 vjeç, dhe Kel Docaj, 24 vjeç.

Ky i fundit ka qënë në statusin e të shoqëruarit dhe ka arritur të largohet forcërisht nga ambjentet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe tashmë është shpallur në kërkim.

“Gjithashtu për këtë rast, ku janë shkelur procedurat standarte për ruajtjen dhe shoqërimin e shtetasve në ambjentet e Policisë, kanë filluar hetimet nga Drejtoria Vendore Policisë Shkodër, nga Drejtoria e Standarteve Tiranë pranë Drejtorisë së Policisë Shtetit, si dhe SH. Ç. B. A”, bën të ditur njoftimi zyrtar i policisë së Shkodrës.

U përgatit urdhëri i pezullimit disiplinor për 2 punonjësit e policisë dhe filloi ecuri e rëndë disiplinore për 4 punonjësit e tjerë.

Top Channel