Tentuan të vidhnin kazinonë, një i arrestuar. Tjetri në kërkim

16/04/2017 00:00

Një person është arrestuar në flagrancë, ndërsa bashkëpunëtori i tij është identifikuar e shpallur në kërkim, pas një tentative për të grabitur me armë zjarri një kazino në periferi të Tiranës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 4:10 të mëngjesit të kësaj të diele, teksa në numrin e Emergjencave 112 është njoftuar në lidhje me dy persona të armatosur, që kanë tentuar të vjedhin një kazino në zonën e Kinostudios.

Pas aktivizimit të shërbimeve policore, shumë shpejt është bërë e mundur kapja e një prej autorëve të dyshuar, i identifikuar si Armando Demiri, 30 vjeç nga Tirana, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi D.S., 29 vjeç po nga Tirana.

Personi i shpallur në kërkim dyshohet se ka qenë i armatosur me një armë të tipit pistoletë, dhe pas largimit nga vendngjarja janë ngritur pika të shumta kontrolli. Gjithashtu janë bastisur edhe shtëpia e tij dhe e të afërmve të tij, ku mendohet të fshihet personi në kërkim.

Top Channel