Të krishterët festojnë ringjalljen e Krishtit

16/04/2017 00:00

Mesnata e Pashkës ortodokse është festuar nga qindra besimtarë, të cilët janë mbledhur në sheshin para katedrales në Korçë për të pritur ringjalljen e Krishtit.

Ashtu si çdo vit, nga Mitropoliti i Korçës, imzot Johani është mbajtur mesha, ndërsa ai ka uruar për të gjithë më tepër mbarësi dhe lumturi. Kur ora ka shënuar 12.00, të gjithë besimtarët kanë ndezur qirinjtë e tyre të njohur si dritën e shenjtë, që në mënyrë simbolike çohet në shtëpi e ndezur.

Besimtarët e Elbasanit kanë kremtuar festën e Pashkës në kishën e Shën Kollit në Shelcan, e njohur për pasurinë e saj të rrallë me piktura të Onufrit. Një ambient i vogël, por me një histori të madhe, është bërë pritësi i qindra besimtarëve të cilët kanë uruar njëri-tjetrin për ngjalljen e Krishtit. Mesha e mesnatës u ndoq edhe nga zyrtarë vendorë e deputetë.

Edhe në Shkodër, besimtarët e krishterë kanë pritur me atmosferë festive Pashkët. Me qindra besimtarë ishin të pranishëm në meshën e mbajtur nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Angelo Massafra, i cili përcolli mesazhin e paqes e dashurisë mes njëri-tjetrit. Në Arqipeshkvinë e Shkodrës kanë uruar festën e Pashkës drejtues të pushtetit lokal dhe përfaqësues të besimve të ndryshme fetare. 

Në katedralen e re të Gjirokastrës, qindra besimtarë ortodoksë iu bashkuan meshës së Pashkëve që zgjati deri pas mesnate. At Theodhori Nikolla, i cili e drejtoi këtë meshë, bëri thirrje për më shumë paqe dhe ndriçim të brendshëm. Ai ftoi besimtarët të marrin dritë nga ringjallja dhe ta shpërndajnë atë. Besimtarët ortodoksë që ishin mbledhur në Gjirokastër edhe nga zonat përreth dhe qindra të tjerë të kthyer nga emigracioni shkëmbyen urime për një vit më të mbarë, harmoni dhe paqe.

Fshati Nartë ka qenë epiqendra e ritualit të Pashkëve për besimtarët ortodoksë të Vlorës. Besimtarët kanë pritur ringjalljen e Krishtit në kishën Shën e Diela të fshatit Nartë. Në një atmosferë festive, besimtarët kanë uruar njëri-tjetrin për harmoni dhe begati në familjet e tyre. Festa ka vijuar me karnavalet e Nartës, një festë pagane e cila vazhdon përgjatë tre ditëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB