Ilir Meta shprehu para Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë së tij se në kushtet aktuale fitorja e koalicionit PS-LSI është shumë e lehtë.
“Koalicioni PS-LSI fitoi kundër qeverisë së Berishës, fitoi kur KQZ-së iu ndryshua përbërja në mënyrë antikushtetuese dhe kur iu la e gjithë KQZ-ja Partisë Demokratike dhe kryeministrit të asaj kohe, zotit Berisha, natyrisht në një klimë jo të lehtë në terren, sidomos në shumë zona të vendit”, tha Meta.
Por, me një ton thuajse presidencial, ai kërkoi uljen e tensioneve, thellimin e reformave dhe thellimin e demokracisë, si dhe një ofertë më bindëse për opozitën, që ajo të rrisë besimin dhe të marrë pjesë në zgjedhje.
“Edi Rama nuk është kryeministër vetëm i PS-së, as vetëm i këtij koalicioni. Është kryeministër i Shqipërisë dhe ka detyrim kushtetues të garantojë dhe të ofrojë besim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duhet të ftojë vetëm formalisht për dialog, por duhet të jetë edhe i përmbajtur në mënyrë që të mos i japë shkak palës tjetër për të vazhduar, për të përshkallëzuar dhe ajo një retorikë të papranueshme, duke folur dhe për arrestime dhe për gjëra të tjera”, tha Meta.
Top Channel