PD mbështeti Besim Ndregjonin për Avokat të Popullit, Adriana Kalaja shpall kandidaturën: I kam paraqitur Berishës dorëheqjen nga funksionet e partisë						John McCain, senatori amerikan dhe ish kandidati për president I Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaloi në Tiranë, si pjesë e turit të tij ballkanik.
Senatori McCain është pritur në aeroport nga ministrja Kodheli dhe ambasadori amerikan Lu dhe së bashku kanë takuar trupat ushtarake shqiptare, që kanë përfituar nga mbështetja ushtarake amerikane.
McCain më pas është takuar me kryetarin e kuvendit Ilir Meta, ku diskutuan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, situatën politike në vend dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta vuri në dukje peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, ndërsa vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti për reformimin e sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.
Senatori u prit nga presidenti Nishani në selinë e këtij të fundit. Ndërsa vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e McCain në politikën dhe senatin amerikan, Presidenti I Republikës Bujar Nishani theksoi faktin se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare, si vend anëtar i NATO-s. Nishani dhe McCain diskutuan edhe për situatën në Ballkan dhe rolin e Shqipërisë për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
McCain u prit edhe nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili i shprehu senatorit amerikan shqetësimin për gjendjen kritike të vendit tonë në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar. Basha e informoi senatorin McCain edhe për pamundësinë e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Pasdite, edhe kryeministri Rama ka pritur në selinë e kryeministrisë senatorin John McCain, me të cilin është zhvilluar edhe biseda zyrtare mes dy delegacioneve. Më pas senatori ka darkuar me kryeministrin.
Top Channel