Gomone me 600 kg marijuanë në Bari, dy shqiptarë në pranga

14/04/2017 00:00

Një gomone me gati 600 kg marijuanë u sekuestrua në brigjet e Barit, pas lokalizimit të bërë mjetit nga njësitë aerodetare të Guardia di Finanza, ato që e kishin diktuar gomonen që kur ishte ende në ujrat ndërkombëtare.

Në bordin e saj ishin dy qytetarë shqiptarë, të moshave 26 dhe 35 vjeç. Ata kanë pretenduar se kishin mbetur në det prej ditësh të tëra, për shkak të një avarie në motorr.

Por, rojet bregdetare italiane gjetën në ujë lëndën narkotike të vendosur në 21 pako dhe të dy personat u vunë menjëherë në arrest. Besohet se skafistët e kanë hedhur marijuanën në det sapo i kanë parë rojet italiane të afroheshin.

Gomonia 10 metra e gjatë, me dy motorrë të fuqishëm jashtë bordit, u sekuestrua, ndërsa të ndaluarit tashmë përballen me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Top Channel