Lulzim Basha foli dy herë të premten për dialogun me Edi Ramën, por në të dyja rastet kreu i opozitës nuk hoqi dorë nga kushti i vetëm i saj.
“Nuk të kërkoj të dorëzosh pushtetin në tavolinë. Të kërkoj të ndahesh nga krimi dhe të ndajmë qeverinë nga krimi në mënyrë që një qeveri teknike, me mandatin që tashmë nuk ka të madh e të vogël që nuk e di, t’u japim shqiptarëve të drejtën sovrane që ua ke hequr kaq herë”, tha Basha.
Kreu i opozitës thotë se të mërkurën e kaluar palët kishin rënë dakort për axhendën që përfshinte qeverinë teknike.
“Nëse ta mban të ndahesh nga krimi, pikat janë rakorduar, qeveri teknike, që do të luftojë drogën, që do të largojë të inkriminuarit nga institucionet dhe do t’u japë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë votimin elektronik”, shtoi kreu i PD.
Lulzim Basha i ktheu përgjigje Kryeministrit se çfarë do të thotë destabilizim i vendit.
“Kërcënimi, rreziku numër një i Shqipërisë, është destabilizimi përmes asgjësimit të demokracisë”, tha ai.
Megjithëse kreu i opozitës e akuzoi Kryeministrin për bashkëqeverisjen me krimin e organizuar dhe narkotrafikantët, ai nuk i mbylli derën diaogut.
“Cakto negociatorin të përfundojmë përgatitjen për dialogun, siç re dakort të mërkurën e javës së shkuar dhe orën dhe vendin ta kam lënë ty”, deklaroi Basha.
Top Channel