Shullazi, 9 herë i pandehur. Prokuroria çon dosjen te Krimet e Rënda

13/04/2017 00:00

Pas një viti pritje në paraburgim, Emiliano Shullazi përfundoi i pandehur në gjykatë me 9 akuza rënduese, së bashku me argumentin se ai është personi që ka krijuar e drejtuar një grup kriminal.

Në kërkesën për gjykim, Krimet e Rënda shpjegojnë se 39-vjeçari ka bërë të mundur formimin e një grupi të strukturuar kriminal, duke siguruar anëtarësinë dhe pasjen e një hierarkie në grup.

Si pjesë e këtij grupi ndodhen në qeli edhe Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqa dhe Endri Zela. Prokuroria deklaron se ndërkohë po vijon hetimet edhe për persona të tjerë.

Shullazi do të gjykohet për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, ndaj Jani Zakes dhe biznesmenit Adriatik Kërçuku. Këta dy të fundit janë kërcënuar përmes shpërthimeve me lëndë plasëse.

Grupi i Shullazit, sipas prokurorisë, ka kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, duke i kërkuar që të tërhiqej nga gara; si dhe ka kanosur për shkak të detyrës rektorin Dhori Kule.

Sipas prokurorisë, Kërçukut i është vendosur lëndë plasëse për ta trembur, ashtu sikurse edhe Jani Zakes, i cili ishte urdhëruar të kalonte në pronësi të një anëtari të grupit 1.200 metra katrorë garazh.

Kërcënimet me armë janë përdorur edhe ndaj dëshmitarit të drejtësisë Ylvi Beqja, i cili në këto kushte ka dhuruar 30 për qind të pronësisë të ish-hotel “Vollga”. Ndërkohë që ai ka paguar në 5 raste gjobat e kërkuara nga grupi.

Por gjatë katër muajve të fundit, prokuroria tentoi të merrte dëshminë e Beqjas në një seancë paraprake për shkak të rrezikut të jetës.

Dërgimi i dosjes në gjykatë do të thotë se gjyqi për ballafaqimin Beqja-Shullazi është i panevojshëm, sepse sipas legjislacionit tashmë dëshmia duhet të dëgjohet në gjyqin e themelit.

Top Channel