Shoqëria shqiptare e naftës, “ALBPETROL” do iu vendosë punonjësve “GPS”. Nëpërmjet një tenderi, kompania e prodhimit dhe tregtimit të produkteve të naftës synon zgjerimin e monitorimit të punonjësve për menaxhimin dhe rritjen e eficencës në punë.
“Fiks Fare” ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili ka si objekt “Blerje GPS personal dhe GPS automjetesh” me fond 15.635.000 lekë. Kohëzgjatja e kontratës, ose afati kohor për ekzekutimin është 40 ditë.
Në dokumente thuhet se pajisja e punonjësve me “GPS” ka ardhur për problematikat e shfaqura më parë në praninë në orar në punë, kohët e zgjatura të pushimit, eficenca e ulët gjatë orarit të punës dhe mosparaqitja në vendin e punës.
“Zgjerimi dhe implementimi në masë i këtij projekti jep mundësinë e kontrollit të plotë të të gjithë punonjësve të terrenit dhe i jep mundësinë ‘Albpetrol Sh.a’ të rrisë eficencën dhe kontrollin për praninë dhe pozicionin e punës”, thuhet në këto dokumente.
Ndërkohë, objektivi i shoqërisë shtetërore është rritja e kontrollit në distancë për pjesëmarrjen në punë, gjurmimi i të gjithë procesit të punës, që të mbulojë çdo hap nga identifikimi i shkeljeve, në përcaktimin e kategorisë së gjobës dhe deri në shlyerjen e saj.
Qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i një sistemi të integruar për “Albpetrol Sh.a” për menaxhimin e të gjitha shkeljeve të identifikuara në lidhje me eficencën dhe kontrollin e punonjësve ne terren, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.
“Albpetroli” është shoqëria shtetërore e prodhimit dhe e tregtimit të naftës, si dhe monitoron marrëveshjet e hidrokarbureve. Aktualisht, kjo kompani operon në disa qytete: Kuçovë, Roskovec, Patos, Ballsh, Fier, Vlorë, Delvinë, Lushnje etj.. Me rimarrjen e disa vendburimeve të naftës e gazit, punëtorët e kësaj shoqërie kanë shkuar në mbi 5.000 punonjës.
Top Channel