“Fiks Fare”, ashensorët e pallateve janë jashtë standardeve të BE-së

13/04/2017 00:00

Godinat e banimit të ndërtuara pas viteve ’90 kanë ashensorë të pasigurtë, pasi shumë prej tyre nuk janë të standardeve europiane “CE”. Ky produkt që lidhet me sigurinë e jetës së qytetarëve, prej vitesh kontrollohet nga teknikë të çfarëdoshëm. Nuk ekziston ende asnjë strukturë shtetërore që i kontrollon këto produkte, si dhe mbikëqyr funksionimin e tyre.

“Fiks Fare”, së bashku me Altin Kurtin, teknik i licencuar për ashensorët, ka kryer një vëzhgim në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’u njohur nga afër me këtë situatë. Pas inspektimit të kryer në zona të tilla si “Komuna e Parisit”, Laprakë, “Astiri” dhe “Fresku”, ashensorët rezultuan jashtë standardeve të BE-së.

Sipas ekspertit u vu re mungesa e elementëve të sigurisë brenda në gropën e ashensorëve, mungesa e ndriçimit, elementëve kundër zjarrit, si dhe prania e mbeturinave brenda në to.

“Kemi inspektuar në të gjitha këto zona dhe problem mbeten ashensorët, pothuajse asgjëkundi nuk gjetëm markën ‘CE’, pra janë jashtë standardeve. Mungesa e elementëve të tillë si ndriçimi, apo edhe ato për fikjen e zjarrit, sjellin pasoja, por më e rënda është se gropat janë bërë vendgrumbullime mbeturinash. Si pasojë, një shkëndijë e vogël mund t’i kthejë në vatra zjarri dhe kjo do të ishte fatale për jetën e banorëve”, shpjegon Kurti.

Edhe qytetarët që jetojnë në këto zona u shprehën të shqetësuar për këtë situatë. Ata, edhe pse bëjnë një pagesë mujore që varion nga 500 deri në 1.000 lekë tek administratori, sërish janë të frikësuar për mbarëvajtjen e ashensorëve. Në shumë raste, banorët thonë se kanë mbetur brenda për orë të tëra.

“Ne paguajmë 1.000 lekë në muaj, por nuk jemi të sigurtë. Jemi të shqetësuar sidomos pas rastit që një qytetare u karbonizua dhe humbi jetën brenda në ashensor”, shprehet një banore në zonën e “Komunës së Parisit”.

Në anën tjetër, administratorët e pallateve shprehen se nuk kanë kontrata për mbarëvajtjen e ashensorëve, thjesht në raste defektesh ata thërrasin teknikun e një firme dhe paguajnë për të zgjidhur situatën.

“Nuk kam kontratë, kështu e kam gjetur. Kur ka defekte thërras teknikun dhe ai vjen. I paguaj paratë dhe kontrollon gjendjen e ashensorit, ose e rregullon atë kur prishet”, thotë një administrator, i cili banon në zonën e Laprakës.

Edhe pse ligji nr. 10.489 i miratuar në vitin 2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore” e përcakton qartë standardin CE, sipas Zyrës së Konsumatorëve, por edhe Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, në rastin e ashensorëve nuk është zbatuar.

Kreu i ZMK-së, Hasan Stafa shprehet se ashensorët kanë hyrë në tregun shqiptar nga ndërtues, të cilët kanë sjellë në treg ashensorë që janë jashtë standardeve europiane, e si të tilla nuk paraqesin siguri për jetën e qytetarëve.

“Ne kemi pasur vazhdimisht ankesa për cilësinë e ashensoreve në 25 vitet e fundit. Në vendin tonë, problematik mbetet fakti se nuk ka një strukturë shtetërore që duhet të vëzhgojë të gjithë procesin, të kontrollojë që në momentin që hynë këto produkte në treg dhe deri te sigurimi i standardeve të duhura”, pohon kreu i ZMK-së.

Ndërsa për kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika, ashensorët janë një problem i vjetër.

“Pas viteve ’90, ndërtuesit fillimisht mendonin vetëm të fitonin e jo t’u shërbenin njerëzve me standard dhe cilësi. Fillimisht kanë hyrë ashensorë nga vendet e rajonit, të cilat nuk ishin të një cilësie të mirë, jashtë standardeve të BE-së. Unë jam plotësisht dakord që duhet vetëm standard europian. Duhet gjithashtu të ngrihen edhe strukturat e licencimit dhe të funksionojë hallka administrator”, pohon Kika.

Ai tregon gjithashtu se është në dijeni, se Ministria e Ekonomisë po bën përpjekje për të ngritur një strukturë të tillë kaq shumë të domosdoshme.

Në vitin 2011 është miratuar ligji 10.487 i datës 15 dhjetor 2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i cili në nenin 9 të tij e përcakton markimin “CE” si kriter, që do të thotë se çdo ashensor duhet ta ketë.

Në anën tjetër, VKM nr. 1056 e vitit 2015 përcakton qartë se duhet të krijohen nga kjo ministri strukturat që do të mbikëqyrin tregun dhe do të certifikojnë produktin. Madje përcaktohet se, deri në krijimin e këtyre strukturave, detyrat e këtij organi duhet të kryhen nga një komision i miratuar nga kjo ministri. Por kur ligji ekziston, pse nuk është zbatuar ai?

Ejona Xhixha, kryeinspektore në Inspektoriatin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, thotë se Ministria po e ngre këtë Inspektoriat, i cili i ka munguar konsumatorit dhe tregut shqiptar. Ai do të garantojë mbrojtjen e konsumatorit dhe klimën e biznesit.

“Kontrollet do të bëhen nga Drejtoria e Inspektimit të Produkteve, e cila do të monitorojë që në doganë, që ashensorët që vijnë të jenë me standard CE. E vetmja e dhënë zyrtare që ne kemi nga censusi i vitit 2011 është se, në Shqipëri rezultojnë 7.303 godina me ashensorë. Kolaudimi do të bëhet nga trupat njoftues, të cilët do të jenë specialistë të fushës dhe do të bëjnë edhe markimin CE të produkteve që nuk e kanë, siç është edhe rasti i ashensoreve”, shprehet kryeinspektorja.

Lidhur me moszbatueshmërinë e ligjit, Xhixha pohon se nuk ka pasur vendimmarrje.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB