Sarandë, sekuestrohen 17 kg kanabis; dy të arrestuar

12/04/2017 00:00

Policia e Sarandës ka sekuestruar 17 kg kanabis dhe ka vënë në pranga dy shtetas që po bënin transportin e saj.

Në pranga kanë rënë Agron Prenga dhe Mariglen Hysenaj, të dy nga Saranda, ndërkohë që në kërkim janë shpallur dy shtetas të tjerë, të cilët mundën t’i iknin policisë.

Arrestimi i tyre u bë pas informacioneve operative se në qytet po lëviznin dy automjete që dyshohej se po transportonin lëndë narkotike. Policia u vu në ndjekje të tyre dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Mercedes Benz, të drejtuar nga Mariglen Hysenaj, u gjet sasia e lëndës narkotike.

Gjithashtu, u arrestua edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Agron Prenga. Nga hetimet e kryera, dyshohet se droga kishte si destinacion shtetin grek.

Policia po punon për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Top Channel