
Policia italiane sekustroi 2 ton kanabis që dyshohet të jetë trafikuar me skaf nga Shqipëria. Droga është kapur në zonën e Abrucos dhe vlera e saj i kalonte 10 milionë eurot.
Sipas mediave italiane, droga ishte ndarë në pako 20-kilogramëshe, ndërsa në pranga është vënë një 29-vjeçar në Brindizi. Në një plazh, karabinierët kanë gjetur të braktisur dhe mjetin e fuqishëm lundrues, ndërkohë që policia italiane ka publikuar edhe pamjet e operacionit tjetër të pak ditëve më parë, ku u sekuestrua 1.5 ton kanabis.
Operacioni u koordinua nga misioni europian Frontex, në bashkëpunim me forcat detare dhe ajrore të 4 shteteve. 3 skafistë shqiptarë u arrestuan pas ndjekjes për më shumë se 24 orë, ndërkohë që edhe 4 persona të tjerë përfunduan në pranga.
Sasitë gjithnjë e në rritje të kanabisit shqiptar kanë alarmuar policinë italiane. Të martën, në Tiranë ishte i pranishëm një delegacion i lartë, i kryesuar nga Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Policor Italian, Gjeneral Gennaro Caoikuongo, i cili zhvilloi takime me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryepolicin Haki Çako. Në këto takime është rënë dakort për rritjen e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve dhe asistencën e palës italiane për luftën kundër kanabisit.
Top Channel