
Donato Carlucci është njëri nga dy skafistët italianë që erdhën në Shqipëri me planin për të trafikuar drogë.
Për këtë fakt ai mori nga Krimet e Rënda masën e arrestit me burg, pikërisht ditën e ditëlindjes, në të cilën mbushi 33 vjeç.
Arrest me burg u vendos edhe për bashkatdhetarin e tij Gianfranco Maiorano, pasi nga të dhënat e hetimit të dy italianët janë pjesë e një grupi të strukturuar që trafikonte hashash në rrugë detare drejt Italisë.
Si linjë do të përdorej Gjiri i Lalëzit, ku edhe u sekuestrua skafi. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton nëse është përdorur herë tjetër kjo linjë, ndërsa ka siguruar edhe dëshminë e shtetasit Lazer Lazri, ndaj të cilit është vendosur më herët masa detyrim paraqitje.
Të hënën, Lazri ka rrëfyer në gjykatë se posedon një varkë peshkimi dhe se i ka shërbyer grupit, duke transportuar në det të hapur të dyshuarin kryesor Eduart Sallaku.
Sallaku, sipas dëshmisë, ka takuar dy italianët me të cilët ka vendosur që droga do të transportohej me varka peshkimi drejt skafit të italianëve.
Kjo mënyrë e re e transportit të drogës do të kryhej për të mos u zbuluar mjeti lundrues nga autoritetet shqiptare.
Top Channel