Vrasja e Artan Cukut, merren në pyetje vëllezërit e personit që u vetëvra në zyrën e tij

10/04/2017 00:00

Dy persona të shoqëruar në polici pas vrasjes së ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku, janë lënë të lirë. Ata u morën në pyetje për shkak se ishin vëllezërit e një personi që vrau veten 12 vjet më parë në zyrën e Cukut.

Dy vëllezërit janë lënë të lirë pas deponimit në polici, ku kanë deklaruar se nuk kanë konflikt me Cukun, pasi e kishin falur gjakun. Ndërkohë, policia vazhdon punën për identifikimin e autorëve që kryen ekzekutimin. Një nga dy vrasësit e Cukut është jo më shumë se 30 vjeç. Edhe pse ai ka qenë me kapele, shpresat janë te kamera e sigurisë përgjatë rrugës ku ndodhi ekzekutimi.

Ndërkohë, i dyti ka patur dialekt veriu. Viktima u përlesh me autorët para se ata ta qëllonin. Burime nga grupi hetimor thonë se dëshmitë e 11 personave që janë marrë në pyetje kanë ndihmuar në ndërtimin e identikitit të autorëve.

Deri tani ka disa pista, të cilat lidhen edhe me detyrën e tij si ish-drejtues policie, por edhe me biznesin aktual.

Ndërkohë, policia ka vënë shpërblim prej 3 milionë lekësh për këdo që jep informacion mbi autorët.

Top Channel