
Në mesnatë përfundon afati për regjistrimin e subjekteve politike për garën e 18 qershorit dhe mesa duket, pas tejkalimit të këtij afati do të futemi në një situatë të re, të panjohur më parë.
Gjysma e spektrit politik është deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe dy nga tre partitë kryesore të mazhorancës janë ende në dilemë. Çfarë do të ndodhë me fatin e zgjedhjeve, por edhe me atë të vettingut?
Për këtë u diskutua në Top Storyn e kësaj të hëne me dy ish-kryetarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata dhe Kristaq Kume dhe analistët Arjan Vasjari, Skënder Minxhozi, Agron Gjekmarkaj dhe Alfred Lela.
“Kushtetuta nuk e pengon shtyrjen e zgjedhjeve sepse ka të bëjë me qëndrimin e Parlamentit në detyrë. Këtë e thotë neni 65 i Kushtetutës. Është e njëjta situatë si 2007, edhe atëherë u shtynë zgjedhjet”, thotë Çlirim Gjatë, duke shtuar se shtyrja e datës së zgjedhjeve, rivendos afate të reja për regjistrimin e partive politike.
Kristaq Kume thotë se Kushtetuta është e qartë; nuk mund të shtyhet mandati i Parlamentit.
“Në legjislacion vendosen afate që rregullojnë realitetin politik. Ka afate që përcaktojnë kohëzgjatje mandati, por zgjatjen e mandatit të Parlamentit, Kushtetuta nuk e lejon”, deklaroi ai duke shtuar se çdo zgjidhje politike në tavolinë do të kërkojë ndryshime në ligj.
Gjata e kundërshtoi këtë. Ai thotë se kjo mund të bëhet edhe pa patur nevojën e ndryshimeve ligjore.
“Afati i këtij Kuvendi përfundon më 9 shtator. Kuvendi mbyll legjislaturën më 18 maj, por qëndron në detyrë për seanca të jashtëzakonshme deri më 9 shtator”, thotë ai.
Gjata mendon se ligji nuk i lejon KQZ-së që të shtyjë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje dhe këtë qëndrim ndan edhe Arjan Vasjari.
“Përtej datës 9 shtator është e pamundur që të shtyjë zgjedhjet. Edhe KQZ nuk ka asnjë të drejtë që të shtyjë afatin e regjistrimit për zgjedhjeve për partitë. Për mua, kreu i KQZ-së, Biba ka qenë korrekt në pozicionin e tij në krye të KQZ-së, pavarësisht se juridikisht nuk mund të shtyhet ky afat”, thotë ai.
Agron Gjekmarkaj mendon se më shumë sesa teknike, çështja është politike dhe si e tillë duhet trajtuar dhe zgjidhur.
Ndërkohë, dilema e LSI-së mund të prekë edhe KQZ-në. Nëse kjo forcë politike vendos që të bojkotojë zgjedhjet dhe tërheq anëtarin e vet nga KQZ dhe të njëjtën gjë bën edhe opozita, a mund të funksionojë ky institucion?
Çlirim Gjata është i qartë; jo.
“Nëse tërhiqen katër anëtarë nga KQZ, atëherë nuk ka më asnjë KQZ> Nëse nuk janë katër anëtarë, KQZ nuk mblidhet dot se nuk ka kuorum”, deklaroi ai,
Kristaq Kume e sheh këtë si një instrument të sigurtë për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Nëse LSI vendos që të mos marrë pjesë në zgjedhje, ky është instrumenti i sigurtë”, u shpreh ai.
Top Channel