
Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi mesditën e së hënës masat e sigurisë për 5 nga 7 personat e arrestuar disa ditë më parë si pjesë e një grupi kriminal që kishte plainifikuar trafikimin e sasive të konsiderueshme kanabisi nga bregdeti i Gjirit të Lalëzit drejt Brindizit, në Itali.
Për katër nga të arrestuarit, gjykata caktoi masat e sigurisë arrest me burg, ndërsa i vetmi që u la i lirë ishte Lazer Lazri, i cili, sipas prokurorisë, ka bashkëpunuar me grupin në fjalë vetëm duke siguruar bidonat me benzinë për gomonen si dhe kishte rënë dakord që të ndihmonte në ngarkimin e lëndës narkotike në gomone.
Ndërsa të akuzuarit e tjerë të këtij procesi, asnjë prej tyre nuk ka pranuar akuzat, ndonëse prokuroria ka përcaktuar rolin e secilit në planin e trafikut i cili nuk u arrit të realizohej, pasi të dyshuarit diktuan ndjekjen e policisë dhe uniformat blu u detyruan t’i arrestonin. Por, tabulatet e përgjimeve telefonike, sipas prokurorisë, e vërtetojnë plotësisht qëllimin e tyre për të trafikuar hashash.
Por, avokati i Eduart Sallakut, të cilësuarit si kreu i grupit, deklaroi se prokuroria nuk ka asnjë provë për klientin e tij. Si pjesë të këtij grupi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar edhe dy shtetas italianë, Gianfranco Maiorano dhe Donato Carlucci, masat e sigurisë për të cilët do të mbahen ditën e martë.
Top Channel