Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ishte në Bashkinë e Konispolit ku inspektoi punimet për lotin e parë të aksit rrugor “Unaza Ekonomike”.
Ky investim pritet të ndihmojë fermeret në fushën e bujqësisë për shkak se përmes tij bëhet kalimi i automjeteve që transportojnë rreth 15 mijë ton mandarina çdo vit.
Deri më tani, rruga ishte e shkatërruar dhe mungonin tërësisht investimet duke përbërë një problem për banorët e zonës. Ministri Gjiknuri garantoi qytetarët se investimet e shtuara për këtë zonë do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.
“Investimet do të jenë të shumta në infrastrukturë, në projektet e rilindjes urbane, në lidhjet me rrugët, në energjitikë. Qëllimi ynë është që e gjithë kjo zonë të kthehet në një nyje shumë të rëndësishme ekonomike por edhe turistike sepse pozicioni e favorizon shumë. Bujqësia këtu ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm që patjetër meriton një vëmendje më të madhe nga shteti. Unë i garantoj të gjithë banorët e zonës se projektet do të vazhdojnë”, tha Gjiknuri.
Kjo rrugë shërben si pikë lidhjeje ndërmjet doganës së Qafë Botës dhe Parkut të Butrintit çka do të shtojë numrin e vizitorëve.
Top Channel