
Testi që Edi Rama bëri me të rinj që votojnë për herë të parë në Fier ishte i thjeshtë dhe rezultati nuk ishte i vështirë të parashikohej.
“Kush do që të shtyhen zgjedhjet të ngrejë dorën? Qenka një atje. Kush i do më 18 qershor?”, iu drejtua Rama të rinjve, të cilët për pyetjen e dytë iu përgjigjën me shumicë.
Por ajo që bëri përshtypje ishte pyetja e dytë e testit, kur Rama u duk se nuk bëri dallime mes qeverisë teknike që kërkohet nga opozita dhe qeverisë së besimit, të propzuar nga aleati i tij Ilir Meta.
“Kush do qeveri teknike? Një, dy, tre. Po qeveri besimi?”, pyeti Rama të rinjtë, reagimi i të cilëve këtë herë ishte më i fortë.
Për të dyja, Edi Rama tha se janë qeveri që nuk duan të lënë të tjerët të zgjedhin, por kryeministri siguroi se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, sepse Shqipëria ka nevojë për reformën në drejtësi.
“E vetmja forcë që ka fuqinë dhe aftësinë për ta çuar deri në fund betejën për drejtësinë, për të zbatuar reformën në drejtësi, për t’i çuar para drejtësisë ata që për 21 vjet me radhë e kanë marrë peng atë, është vetëm PS”, tha Rama.
Reforma në drejtësi do të jetë një pjesë e rëndësishme e fushatës së socialistëve nën sloganin “Shqipëria që duam” dhe Edi Rama e përforcoi atë me mesazhin që dha.
“Ta harrojnë! Shqipëria ka zot! Me votën e 18 qershorit Shqipëria duhet të japë një mesazh shumë të qartë: Shqipëria do bëhet shtet, Shqipëria nuk është tokë e xanun, Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët”, tha Rama.
Top Channel