“Fiks Fare”, “viktima” e interpretimeve të ndryshme të dekriminalizimit

07/04/2017 00:00

Ligji i dekriminalizimit ka filluar të japë edhe defektet e para në interpretim, duke detyruar punonjësit e cënuar prej tij që t’i drejtohen gjykatës, pasi kanë humbur vendet e punës. I tillë është edhe rasti i Rustem Gjonajt, punonjës i Sigurimeve Shoqërore në Tropojë, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tropojës.

Rustem Gjonaj tregon se në fund të muajit shkurt është liruar nga detyra e koordinatorit në Degën Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tropojë, pasi sipas një shkrese të ardhur nga DAP, rezulton se ai është subjekt që përfshihet në ndalimet që parashikon ligji i dekriminalizimit.

Sipas tij, më 26 maj të vitit 2005, ai është dënuar për “mbajtje pa leje të armëve”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal, por kjo nuk e ndalon të drejtën e tij për ushtruar funksione publike. Gjonaj thotë se DAP ka bërë interpretim të gabuar dhe në këto kushte është detyruar t’i drejtohet gjykatës për të mos humbur vendin e punës.

Ai tregon se i njëjti nen vlen edhe për pozicionin e anëtarit të Këshillit Bashkiak, por që KQZ ka verifikuar më me imtësi dhe nuk ia ka ndërprerë mandatin.

Pas ankesës së qytetarit, “Fiks Fare” siguroi dokumentet mbi këtë çështje, ku rezulton se sipas ligjit Nr. 138/2015, ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik nuk e përfshin ankuesin Rustem Gjonaj.

Departamenti i Administratës Publike, në shkresën e vet ka deklaruar se, nga shqyrtimi i dokumentacionit të formularit të vetëdeklarimit të Rustem Gjonajt, aktualisht në detyrën e koordinatorit në Degën e Sigurimeve Shoqërore në Tropojë, rezulton se është subjekt që përfshihet në ndalimet e nenit 2 të ligjit nr. 138, viti 2005. Po ashtu DAP shprehet se, konkretisht Gjonaj ka deklaruar se është dënuar për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “largim nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 278/2 dhe 323 të Kodit Penal.

Por nga ana tjetër, “Fiks Fare” verifikoi ligjin të cilit i është referuar DAP, pikërisht pikën “a” të nenit 2. Ky nen flet për ndalimin për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik. Konkretisht ligjvënësi në këtë dispozitë ligjore ka parashikuar nenet, për të cilat një person mund të jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë dhe që nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet në një funksion të lartë publik.

Por nga verifikimi nuk rezulton të jenë përfshirë nenet 278/2 dhe 323 të Kodit Penal, për të cilat është dënuar Gjonaj. Ligji ka përfshirë vetëm pikat 1, 5 dhe 6 të nenit 278 dhe jo pikën 2. Ndërkohë, në interpretimin e bërë nga DAP rezulton se, neni 278 është marrë si një i tërë, pavarësisht se ligji nuk e parashikon ashtu. Ndërsa KQZ duket se nuk e ka interpretuar në të njëjtën mënyrë.

Pra, dy institucione duket se i kanë dhënë dy intepretime të ndryshme të njëjtin nen të ligjit të dekriminalizimit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB