Bushati: Reforma në drejtësi, test për kredibilitetin e forcave politike

07/04/2017 00:00

Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati përfundimi i reformës në drejtësi është test për kredibilitetin e forcave politike, dhe PD duhet të marrë pjesë në zbatimin e marrëveshjes së 21 korrikut që çoi në ndryshimet kushtetuese.

Duke folur nga Shkodra për ngërçin politik, Bushati tha se ka një përpjekje për destabilitet të vendit, por zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor.

“Përfundimi i reformës në drejtësi është test për kredibilitetin e forcave politike që buron prej marrëveshjes së 21 korrikut ku opozita ka 50% të përgjegjësisë. I bëjmë thirrje PD-së që të marr pjesë në zbatimin e asaj marrëveshje që çoi në ndyshimet kushtetuese. Ka një përpjekje për destabilitet të vendit por ne jemi të vendosur për të shkuar përpara dhe ne nuk ushtrojmë trysni ndaj askujt, por qytetarët çdo 4 vjet votojnë dhe shprehin vullnetin e tyre në kutitë e votimit. Ne duhet të respektojmë vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe Presidentin e Republikës që ka dekretuar datën e zgjedhjeve në 18 qershor”, tha Bushati.

Bushati shprehet edhe për propozimin e LSI-së për zgjidhjen e krizës, që sipas tij “nuk është e njëjtë me atë të PS”.

“LSI ka shprehur një pikëpamje për zgjidhjen e krizës që nuk është e njëjtë me tonën, ku pikëpamja jonë është e bazuar në Kushtetutë. Edhe sot Kryeministri Rama ka shprehur gatishmërinë për të biseduar, por ka disa gjëra që nuk janë në dorën tonë”, vijoi ai.

Bushati tha se komuniteti ndërkombëtar ka folur qartë për nevojën e ndërprerjes së bojkotit në vend dhe rëndësinë e miratimit të reformës në drejtësi.

Top Channel