Kryeministri japonez, Shinzo Abe e shprehu hapur mbështetjen e tij për sulmin ushtarak amerikan në Siri. Japonia, u shpreh ai, e vlerëson lart angazhimin e Presidentit Donald Trump ndaj paqes në botë.
“Qeveria japoneze e mbështet plotësisht vendosmërinë e administratës amerikane për t’iu kundërvënë me forcë përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike. Ne e kuptojmë fare mirë se goditja amerikane synon të parandalojë përkeqësimin e mëtejshëm të situatës”, tha Abe.
Në të njëjtën linjë ishte dhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull: “Kjo ishte një përgjigje e mirëkalibruar dhe me një shënjestër të qartë. Regjimit të Asadit iu dërgua një mesazh i fortë. Përdorimi i armëve kimike, në çfarëdolloj rrethane, është i paligjshëm dhe i neveritshëm”.
Mbështetje për lëvizjen e amerikanëve dha edhe Britania e Turqia. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha se, ky është paralajmërim ndaj një “regjimi kriminel”. Arabia Saudite e përshëndeti gjithashtu ndërhyrjen amerikane, ndaj të cilës Irani reagoi ashpër, ndërsa Moska paralajmëroi për pasoja negative.
Në Los Angeles, jo të gjithë janë në anën e Presidentit për këtë lëvizje: “Më duket pak e nxituar në fakt që të hakmerresh kaq shpejt, pa menduar për rrjedhojat që mund të ketë veprimi yt. Mendoj se nuk duhet të bëjmë gjë tjetër atje”.
Sulmi amerikan shkaktoi rënien e bursave, rritjen e kuotimit të naftës dhe ngritjen e çmimit të arit në një nivel rekord për këtë vit.
Top Channel