Dosja ‘Epstein’/ Zhduken 16 imazhe nga faqja e internetit e Departamentit amerikan të Drejtësisë, mes tyre fotoja e Trump. Demokratët kërkojnë transparencë Republikanët ndërmorën hapin historik të ndryshimit të rregullave të Senatit amerikan për të konfirmuar me forcë kandidatin e presidentit Trump për Gjykatën Supreme.
Ata përdorën “opsionin bërthamor”, pasi demokratët përdorën një taktikë që njihet me termin “Filibuster” për herë të parë në 50 vite, për të ndaluar konfirmimin e Neil Gorsuch, që tashmë do të emërohet të premten në Gjykatën Supreme.
Kjo lëvizje do të ndajë edhe më thellë në vija partiake Kongresin, ndërsa një prej senatorëve veteranë republikanë, John McCain tha se kjo ishte një ditë e keqe për demokracinë.
Kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnell përdori “opsionin bërthamor” pasi ata nuk mundën që të kalonin kufirin prej 60 votash të kërkuar nga demokratët për të konfirmuar Gorsuch. Kjo manovër, që quhet “opsioni bërthamor” pikërisht sepse është mjeti i fundit, mundëson ndryshimin e rregullave dhe emërimin e Gorsuch me një shumicë të thjeshtë në Senatin me 100 vende, ku republikanët kontrollojnë 52 vende.
Pavarësisht paralajmërimeve që kjo të shmangej, duket se republikanët vendosën të ndërhyjnë për hir të kontrollit ideologjik të gjykatës më të lartë në vend, pasi emërimi i Gorsuch rivendos shumicën konservatore në Gjykatën Supreme.
Që sot e tutje, gjykatësit në SHBA mund të zgjidhen me shumicë të thjeshtë, një precedent i konsideruar shumë i rrezikshëm. E ndërsa demokratët thanë se republikanët “sapo vranë republikën e popullit”, senatori John McCain deklaroi se është i sigurtë se ligjvënësit do të pendohen për këtë që bënë.
Ndryshimi historik i rregullave mundëson që Trump, apo çdo president tjetër pas tij, të emërojë gjykatës me pikëpamje ekstremiste të majta apo të djathta, pasi tashmë mjafton shumica e thjeshtë për ta bërë këtë, gjë që nuk ka sesi të jetë në të mirë të një gjyqësori të paanshëm.
Top Channel