Berisha: Rama të përfundojë mandatin

06/04/2017 11:20

Deputetët demokratë u mblodhen në çadrën e protestës ku ish-Kryeministri Berisha deklaroi se opozita është dakort që Kryeministri Rama ta përfundojë mandatin e tij, por pas 18 qershorit të krijohet qeveria teknike që do të përgatisë zgjedhjet.

“Ju njerëz të ligjit dhe Kushtetutës, pse nuk e lejoni atë të mbarojë mandatin? Asnjë kundërshtim nuk kemi ne nëse ai është kaq shumë i lidhur pas asaj karrige. Le të firmosë, të ikë më datë 18, të krijojmë qeverinë teknike dhe të bëjmë zgjedhje të lira. Mos e merr ti shpirtin paqësor të kësaj çadre si dobësi, sepse do të shohësh një mjerim që as në ëndrra nuk e ke parë kurrë, nëse nxehet revolucioni! Revolicionin mos e nxeh!”, deklaroi Berisha.

Ndërsa deputeti Eduard Halimi deklaroi se Shqipëria është kthyer në Kolumbinë e Europës, duke iu referuar sasive të drogës të kapura javën e fundit në Itali e Greqi.

“Vetëm këtë javë, dy ngarkesa u kapën me drogë në Itali. Në total, 5 ton drogë. 7 ngarkesa të tjera, me një total prej 1.5 ton u kapën në Greqi. Pa llogaritur drogën që nuk arrin dot të kapet. Si ka mundësi që Shqipëria u shndërrua në Kolumbinë e Europës? Sepse qeveria i bën banditët deputetë e drejtorë. Qeveria jonë është bërë njësh me krimin”, tha Halimi.

Me tej, deputeti demokrat theksoi: “Kjo republikë duhet të marrë fund një orë e më parë, për t’i hapur rrugë republikës së re, ku qeveria nuk është e lidhur me krimin. Zgjedhje fasadë, me një qeveri të lidhur me krimin nuk do të ketë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA