Xhafaj: Policia, larg zgjedhjeve. Reformim dhe vetting

05/04/2017 00:00

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk preferoi të përfshihet në debatin e ditës mbi qeverinë e besimit. “Unë jam këtu për të besuar te policia, ju doni të besoni te politika”, u shpreh ai.

Por përpara 419 kursantëve të rinj që janë pranuar në radhët e Policisë së Shtetit, ai tha se uniformat blu do të garantojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Është hap mbrapa që në një shtet të së drejtës të kërkosh zgjidhjet politike t’i realizosh përmes të ashtuquajturave kompromise, që politizojnë dhe rrezikojnë funksionin dhe rolin e Policisë së Shtetit. Ne e kuptojmë shumë mirë rëndësinë jetike që ka sjellja e policisë në një proces zgjedhor. E dimë shumë mirë se çfarë dëmi mund të sjellë edhe për atë forcë që është në qeveri, nëse nuk garanton sjellje dhe veprim të policisë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin. Ndaj vullneti im si ministër, vullneti i kësaj qeverie për të garantuar zgjedhje të qeta, të lira, të ndershme edhe për sa i përket veprimit të policisë, është i plotë dhe i qartë”, tha Xhafaj.

Ministri i Brendshëm paralajmëroi edhe “shkrirjen” e çdo komisariati, që nuk parandalon kultivimin e kanabisit.

“Qëndrimi i mbajtur pak ditë më parë në rastin e Komisariatit të Kurbinit do të jetë i njëjtë në çdo rast tjetër që do të konstatohet”, tha ministri Xhafaj.

Xhafaj ripërsëriti nevojën e një procesi “vetting”-u për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas standardeve dhe modelit të ndërtuar për “vetting”-un në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës së Drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB