
Ambasadorja gjermane i kërkon opozitës të kthehet në Parlament. Duke folur nga Vlora, Suzan Scutz u shpreh se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e caktuar.
“Këndëvështrimi ynë është që zgjedhjet në Shqipëri duhet të jenë të lira dhe të ndershme dhe në përputhje me kushtetutën si dhe të zhvillohen në kohën e duhur. Dhe në këtë proces duhet të marrin pjesë partitë që dëshirojnë të jenë pjesë e procesit dhe ne mendojmë se opozita duhet të kthehet në parlament që të japë kontributin e vet që të zbatohet reforma në drejtësi, për të cilën gjermania ka dhënë një kontribut të qenësishëm”, u shpreh Susanne Schutz.
Nga vendi ku nisën punimet e nëstacionit energjetik të Orikumit që do të furnizojë bregdetin jugor, një financim ky i qeverisë gjermane, edhe ministri Gjiknuri tha se vendi i opozitës është në parlament.
Nuk ka metoda presioni, ik ti të vij unë. Kjo është e papranueshme. Vetëm zgjedhjet janë rotacioni politik dhe asnjë faktor tjetër ekstra legal nuk mund të ndikojë në procesin normal Kushtetues. Koalicionin po qeveris dhe shembulli sot është shembulli konkret që qeveria do të punojë deri në ditën që është mandatuar nga populli. Pasta vullneti i popullit është ai që përcakton koaliconin e ardhshëm dhe qeverinë e ardhshme”, tha ministri Gjiknuri.
Top Channel