Basha me Arvizu dhe Lu: Kjo qeveri s’ka vullnet për zgjedhje të lira

03/04/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me zv.ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, Alexander Arvizu dhe ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Në njoftimin e shpërndarë nga Partia Demokratike, thuhet se biseda u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Europë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.
 
Kryetari i opozitës i tha Arvizut se raportet ndërkombëtare janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, që Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.
 
Basha theksoi se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të Kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
 
“Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e Bashës.
 
Në këto kushte, sipas njoftimit të PD, Basha ka vënë në dijeni dy diplomatët amerikanë se rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Top Channel