Kryeministri Edi Rama u përgjigj me tone të qeta, kur u pyet mbi protestën që po zhvillohet poshtë dritareve të tij.
Edi Rama: Unë mund të them se jemi vetëm një demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, por asgjë dramatike.
Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetareve mbi Reformën në Drejtësi dhe akuzave se po përpiqet të kapë drejtësinë.
Edi Rama: Jo, nuk besoj se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerë strategjikë të Shqipërisë, do të kishin pranuar dikë që të vinte dorë mbi reformën apo drejtësinë. Pastaj, me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion, opozita zgjedh 50 për qind për komisionet e kontrollit, që janë një filtër shumë, shumë i imët për gjyqtarët dhe prokurorët, që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare, me një monitorim të gjyqtarëve dhe prokurorëve europianë e amerikanë.
Kur Britania e Madhe po del nga Bashkimi Europian, kryeministri Rama argumentoi pse Shqipëria dhe Ballkani po luftojnë për vlerat europiane.
Edi Rama: Për ne është pak ndryshe, për ne Europa është ekzaktësisht projekti i paqes dhe sigurisë që ishte qysh në krijimin e BE-së, sepse ne i kemi njohur luftrat dhe sapo kemi dalë nga luftrat dhe nëse Ballkani sot nuk është siç thuhej gjithmonë, fuçi baruti për Europën, kjo sepse ai ka sot një motivim dhe një shpresë të madhe për t’iu bashkuar Europës.
Gazetarja: Ju folët vet për fuçi baruti, në fakt në Maqedoni ka një krizë politike. A nuk po rindizni ju flakën e Shqipërisë së madhe? Në fakt kjo është akuza që ju bëjnë rusët… A keni frikë se mos po nxisni rrezikun e një lufte në rajon?
Edi Rama: Në Maqedoni nuk ka një minoritet, por një entitet shqiptar, që bashkë me entitetin maqedonas krijojnë shtetin e Maqedonisë. Ka më shumë se 35 për qind shqiptarë në Maqedoni, pra s’është një minoritet dhe e vetmja gjë që shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë është respektimi i “Marrëveshjes së Ohrit”, e nënshkruar nën udhëheqjen euroamerikane, dhe të gëzojnë liri e të drejta të barabarta si qytetarë. Kjo është e thjeshtë! S’ka lidhje me Shqipërinë e madhe, sepse ne duam një Europë të madhe, jo një Shqipëri të madhe në Europë.
Top Channel