Peleshi: Koalicioni me LSI, i suksesshëm. PD po rrënon imazhin e saj

31/03/2017 00:00

Zëvendës kryeministri Niko Peleshi, gjatë inspektimit të punimeve për shkollën e fshatit Kamenicë, e ka vlerësuar si të suksesshëm koalicionin PS-LSI.

Ai e ka lënë të hapur shtegun e një kontrate të re, por duke e kanalizuar këmdvështrimin e tij tek impakti qeverisës dhe sfidat që janë kaluar deri tani.

“Fakti që ne kemi qeverisur për 4 vite me një koalicion me LSI tregon se ky koalicion ka funksionuar dhe ka qenë i suksesshëm. Sot flasim për një kontratë të re, por unë mendoj se më e rëndësishme se kontrata mes partive është ajo me qytetarët, me votuesit. Sot shqiptarët presin nga ne të vazhdojmë rrugën e transformimit dhe ndryshimit”, ka thënë Peleshi.

Peleshi nuk i ka kursyer as komentet për liderin e opozitës, Basha, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor për rrënimin e imazhit të PD.

“Realisht më vjen keq kur shikoj se si dita ditës imazhi i PD, një parti që ka lindur edhe nga energjitë rinore të brezit tim, është duke u rrënuar. Loja politike, në kuptimin pozitiv të fjalës, luhet kur skuadra të tëra ecin me të njëjtin standard. Nuk ka lidhje gjithë kursi radikal që ka zgjedhur PD me sot me sfidat që janë para nesh”, ka thënë Peleshi.

Numri dy i qeverisë ka përmbyllur fjalën e tij duke thënë se prioritet mbetet e ardhmja e qytetarëve dhe jo lojërat politike.

“Nuk kam një lajm për gazetë apo një përgjigje të ftesave të ardhura nga forca brenda apo jashtë koalicionit. Për mua interesi i parë dhe i fundit është vota e qytetarëve kundrejt programit dhe premtimeve të mbajtura”, ka shtuar Peleshi.

Top Channel