Komisionet e vetting-ut, ONM do të verifikojë dosjet e 84 aplikantëve

31/03/2017 13:00

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pas disa ditësh monitorim të dokumentacionit në zyrat e Avokatit të Popullit, ka marrë në dorëzim dosjet e kandidatëve, të cilët që nga 22 janari nisën aplikimet për 27 vende në organet e vetting-ut.

Avokati i Popullit publikoi zyrtarisht listën me 84 emra që kanë plotësuar kriteret formale, ndër të cilët gjenden edhe emra të njohur si ish-kryeprokurorja Ina Rama, Albana Shtylla, aktualisht Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit, Sokol Çomo, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Shpresa Becaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë dhe Fatos Dervishi, zv/prokuror i përgjithshëm në vitet 1993-1997, i përfshire në burgosjen e ish-kryetarit socialist Fatos Nanos.

“Pas përfundimit të këtij procesi, rezulton se numri i kandidatëve që kanë plotësuar kriteret formale ka shkuar në 84. Ndërsa 109 kandidatë aplikantë nuk i kanë përmbushur kriteret formale. Aktualisht, i kemi dorëzuar ONM-së listën me emrat e kandidatëve, të cilët i kanë plotësuar kriteret formale, listën e kandidatëve që nuk i kanë plotësuar kriteret formale sipas ligjit, procesverbalin e dorëzimit të dosjeve, letrën përcjellëse të dokumentacionit drejtuar znj. Genoveva Ruiz Calavera, kryetare e Bordit te ONM-së”, tha Totozani.   

Tani i mbetet zonjës Calavera dhe ekipit të saj të rishohë këto lista kandidatësh, për të cilat, më 3 mars dha rekomandim pozitiv për 79 kandidatë, ndërsa 84 të tjerë i ka vlerësuar asokohe me rekomandim negativ.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së, në deklaratën që pasoi publikimin e listave, theksojnë se po punojnë me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve. Pas përfundimit të këtij procesi, po të jetë nevoja, vë në dukje ekipi i Calavera, Avokatit të Popullit do t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar në mënyrë konfidenciale Kuvendit të Shqipërisë.

ONM konfirmon se kanë vazhduar po ashtu përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë, që do tu bashkëngjiten institucioneve të vetting-ut që do të kryejnë rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA