Në prag të 4-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin qeverisës midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se më e rëndësishmja është zbatimi i marrëveshjes aktuale që është ende në fuqi, me ndershmëri.
“1 Prili ka qenë një datë rastësorë e një marrëveshjeje rastësore në sensin e datës, por ka qenë një marrëveshje politike që kishte të bënte me 4 vjet. Besoj që datat janë thjesht dhe vetëm një konvencion. Në themel të të gjitha çështjeve mbetet sa qëndrojnë në kohë marrëveshjet, sa ndershmërisht ato respektohen dhe ç’të mira i sjellin vendit”, ka deklaruar Vasili.
LSI nuk përkrah asnjë kandidat që vjen nga zgjedhje farse. Qëndrimin e Luan Ramës e Spartak Brahos një ditë më parë për zgjedhjet e parakohshme në Kavajë e konfirmoi edhe ministri i Drejtësisë. Ky i fundit thekson se garën atje do ta udhëheqë PS.
“Ajo që kreu i grupit parlamentar ka bërë publike dje besoj që është shumë e kthjellët dhe shumë e qartë, thelbi i së cilës është që këtë garë do ta udhëheqë në këtë bashki Partia Socialiste, e cila kishte zgjedhur dhe kandidatin e mëparshëm, i cili u largua për problemet serioze me ligjin e dekriminalizimit dhe do të zgjedhë dhe kandidatin apo kandidaten e radhës”, thotë Vasili.
Top Channel