
Saimir Tahiri, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, deklaroi se me apo pa LSI-në, “ne do të respektojmë të drejtën sovrane të popullit shqiptar për të zgjedhur ofertën më të mirë. Në Kavajë në 7 maj dhe në mbarë Shqipërinë në 18 qershor”.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme apo goditjeve tendencioze në publik, LSI ka mbështetur reformat dhe ka bashkëpunuar me PS pa shkelur asnjëherë marrëveshjen me 1 milion votuesit tanë. Por, nuk mund të mos them sot, si udhëheqës politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, se prononcimet publike për mospjesëmarrje në zgjedhjet e Kavajës apo për vetë procesin zgjedhor në Kavajë që na qenka, sipas LSI, farsë pa opozitën, janë destruktive dhe nuk ndihmojnë askënd. Aq më pak kthimin e opozitës në normalitetin demokratik. Sipas LSI ne duhet të anullojmë zgjedhjet në Kavajë meqë nuk bëhen në çadër? Duhet të deklarojmë edhe ne, Partia Socialiste, mospjesëmarrjen meqë edhe LSI mendoka si PD? Apo mos duhet të ndjehemi ne fajtorë për “farsën” imagjinare të pjesëmarrjes, ndërkohë që farsa reale është mospjesëmarrja?”, shkroi Tahiri.
“Me apo pa LSI, ne do respektojmë të drejtën sovrane të popullit shqiptar për të zgjedhur ofertën më të mirë. Në Kavajë në 7 maj dhe në mbarë Shqipërinë në 18 qershor. Ndaj, edhe sikur vetëm fare pa asnjë parti tjetër, ne do hyjmë në zgjedhje e do fitojmë”, shtoi Tahiri.
Top Channel