
Vetëm 101 kandidatë nga 164 aplikantë gjithsej për një vend, ndër 27 anëtarët e organeve të Vettingut, u rikthyen për të plotësuar dosjet e tyre në zyrat e Avokatit të Popullit në përfundim të afatit.
Në ditën e dytë, ekipi i monitoruesve ndërkombëtarë, i përbërë nga ekspertët e krimit ekonomik dhe politik Martin Kesen, Peter Ainsëorth, Theo Jacobs, Francesco Torcolli , Giulio Venneri , Linalotta Petrelius Ndisi dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë Katina Katundi, Ariola Cuca dhe Lisena Gjebrea kanë ndjekur nga afër procesin e verifikimit të dosjeve.
Në deklaratën e të hënës në mbrëmje, ONM deklaroi se bazuar në eksperiencën e mëparshme dhe kushtet ligjore do të rishikojë dokumentacionin. Gjatë procesit të rishqyrtimit të dosjeve, ONM-ja garanton një rivlerësim të arsyeshëm të kandidatëve bazuar mbi gjetjet që disponojnë për ta vëzhguesit ndërkombëtarë. Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se ekipi i Kalaverës ka punuar gjatë kohës që Kuvendi shtyu procesin që të mbledhë të dhëna të reja mbi të kaluarën, të dhënat pasurore dhe aktivitetin e aplikantëve.
Deri në mesin e muajit prill do të kryhet edhe një herë vlerësimi i dokumentacionit të të njëjtëve aplikantë, gjysma e të cilëve kanë marrë më 3 mars rekomandime negative nga zonja Kalavera dhe ky ekip monitoruesish të huaj.
Në listën që kanë në duar monitoruesit e huaj, përveç faktit që janë të njëjtët emra që janë publikë prej tre muajsh, një pjesë e tyre kanë aplikuar për të dy organet e Vettingut, si në Komisionin e Kualifikimit, organi kryesor i cili do të vendosë nëse një gjyqtar a prokuror e kalon vettingun dhe për Kolegjin e Apelimit.
Këto organe do të kenë në total 27 anëtarë: 12 në Komisionin e Kualifikimit, 7 në Kolegjin e Apelimit, 2 komisionerë publikë dhe nga 2 zëvendësues për secilin organ. Për Kolegjin e Apelimit janë kandidatë me dokumentacion të plotë edhe emra të njohur si Albana Shtylla, Ina Rama, Shpresa Beçaj , Sokol Çomo.
Top Channel