
Partia Demokratike ka kohë deri të martën e ardhshme, më 4 prill, për të vendosur nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kavajës, që do të mbahen më 7 maj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi afatet proceduriale për zgjedhjet e 7 majit, duke i lënë të gjitha partive edhe pak ditë kohë për tu regjistruar si subjekte politike për zgjedhjet e pjesshme në Kavajë.
“Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42 jo më vonë së data 17 prill 2017. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve brenda 5 ditëve. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në Grupin e Numërimittë Votave duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42, jo më vonë së data 27 prill 2017. Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhorë për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonë se data 4 prill 2017. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonëse data 8 prill 2017”, tha Denar Biba, kreu i KQZ-së.
Pas regjistrimit si subjekte zgjedhore, KQZ do të pranojë deri më 8 prill regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, për të regjistruar në fund emrin e kandidatëve për secilën prej partive. Deri të martën e ardhshme, opozita do të duhet të vendosë a do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse Edi Paloka ishte shumë i qartë pak ditë më parë kur tha se në Kavajë apo në çdo zonë tjetër, PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.
Top Channel