
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi këtë të hënë se është koha për t’i bërë një thirrje opozitës për t’u kthyer në Kuvend.
“Mazhoranca sigurisht që i ka votat për të vazhduar implementimin dhe miratimin e tyre, por është një moment i mirë për të ribërë thirrje opozitës që të kryejë detyrimet e veta përfaqësuese përkundrejt asaj pjese të shqiptarëve që i kanë besuar mandatet e tyre në Kuvend”, deklaroi Balla.
Balla u pyet edhe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e Kavajës dhe ato të përgjithshme.
“Në Kavajë, në zgjedhjet e pjesshme lokale dhe më 18 qershor në zgjedhjet e përgjithshme, PS do të marrë pjesë, se kjo është si ajo fabula që një nxënës thirret për të dhënë provimin dhe thotë jam i papërgatitur dhe dua të shty provimin”, tha Balla.
Në fund, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së komentoi edhe deklaratën e Ambasadës Amerikane.
“Asnjë politikan shqiptar nuk ka të drejtë që të marrë përsipër të flasë në Shqipëri në emër të përfaqësuesve të vendeve të tjera dhe mendoj që tërheqja e veshit e djeshme ishte e domosdoshme”, shtoi Balla.
Top Channel