CDU-ja e Angela Merkelit fitoi me shumicë të ndjeshme votash zgjedhjet rajonale në landin e Zarës (Saarland), një triumf dekurajues ky për kampin socialdemokrat, që pretendon të dalë në krye sivjet në zgjedhjet parlamentare.
Kristiandemokratët e Kancelares Merkel morën sipas rezultateve jopërfundimtare 41 për qind të votave, ndërsa socialdemokratët vetëm 29 për qind.
Zara, në kufi me Francën, ka një popullatë prej një milion banorësh, e vogël krahasuar me landet e tjera. Por kudo në Gjermani, zgjedhjet e saj u panë si parashikuese të tendencës së përgjithshme për parlamentaret e shtatorit, ku Merkel kandidon për një mandat të katërt si kancelare.
“Bëmë fushatë të dyja së bashku këtu me Angela Merkelin. E bëmë shumë të qartë se fokusi ynë ishte politika rajonale. Duam që këtu të formësohet e ardhmja jonë. Por ky ishte edhe një sinjal i fortë për Bundestagun”, tha Annegret Kramp-Karrenbauer, kandidate e CDU-së.
Me zgjedhjen e Martin Schulzit në krye të Partisë Socialdemokrate Gjermane e më pas edhe konfirmimit të kandidaturës së tij për kancelar, SPD-ja shënoi një rritje të konsiderueshme të popullaritetit. Ish-presidenti i Parlamentit Europian e pranoi humbjen në landin e Zarës, por tha se ky është vetëm fillimi i një beteje të gjatë.
“Nuk e arritëm qëllimin tonë sot, por kjo nuk do të thotë se nuk do të përmbushim objektivin përfundimtar, ndryshimin e qeverisë në Gjermani. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: ky nuk është sprint, është vrapim në distanca të gjata”, tha Martin Schulz, kryetar i SPD-së.
Ekonomia, një prej problemeve kyçe të zgjedhjeve në mjaft vende të tjera europiane, nuk i shqetëson edhe aq shumë gjermanët, që prioritet kanë më së shumti çështjet e sigurisë.
Top Channel