
Pishat e Korçës po përballen përsëri me sëmundjen e procesionares, edhe pse është ndërhyrë disa herë për luftimin e saj.
Për specialistët, e vetmja mënyrë e luftimit mbetet ajo fizike, pasi në qytet nuk mund të bëhen ndërhyrje me kimikate. Por shqetësim mbetet rikthimi i herëpashershëm, për shkak se ajo duhet të luftohet në një front më të gjerë.
Cikli i vet procesionares krijon kushtet që, edhe nëse ajo eliminohet në parqe dhe lulishte, rikthehet përsëri nga masivet pyjore që rrethojnë juglindjen e vendit.
“Kjo luftë frontale duhet të jetë në të gjithë masivet pyjore, nga pyjet e pishave të Moravës deri në anët e tjera, sepse distanca e lëvizjes së saj është kaq e largët sa që nga masivet e pishave të Kolonjës mund të vijë në çdo moment në Korçë, depoziton vezët aty dhe vemja gjen terren”, thotë Thanas Tona, drejtor i Ndërmarrjes së Gjelbërimit, Bashkia Korçë.
Sipas specialistëve, procesionarja, përveç irritimeve që shkakton te njerëzit, ndikon edhe në dëmtimin e pishave. Një nga faktorët që e favorizon përhapjen e saj është zhdukja e shpendëve.
Top Channel