“Çadra i ka zënë rrugën popullit”

26/03/2017 12:45

Për kryeministrin Edi Rama, me protestën e saj dhe çadrën e ngritur prej disa javësh në bulevard, opozita synon të mbajë peng reformën në drejtësi dhe vetting-un.

“Si ajo pikë karburanti në “Lungomare” më e rëndësishme se interesi publik në bulevardin e ri të Bregut të Vlorës është dhe çadra në mes të bulevardit atje në Tiranë, që i ka zënë rrugën popullit për të parë më në fund gjyqtarët dhe prokurorët që i kanë pirë gjakun popullit për 25 vjet, që të shkojnë prapa hekurave dhe jo të rrinë para popullit me çekiç në dorë dhe të vrasin drejtësinë sa herë u vjen mundësia që të bëjnë padrejtësi në këmbim të parave. Fakti që reforma në drejtësi nuk është një çështje politike dhe vetting-u nuk është një çështje partiake, por mishërimi i një aspirate 25-vjeçare që përputhet sot me interesin kombëtar dhe publik, ashtu nuk ka pikë karburanti dhe çadër që e ndal”, deklaroi Rama.

Nga Vlora, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 20-vjetorit të tragjedisë së Otrantos, Rama tha se ende sot familjarët e viktimave vuajnë mungesën e drejtësisë, ndaj përpjekja për të penguar këtë reformë është antikombëtare.

“Asgjë nuk ka vlerën e merituar nëse nuk ka drejtësi. Të afërmit e viktimave të kësaj tragjedie kanë në shpirt revoltën për mungesën e drejtësisë. Është antikombëtare përpjekja për ta penguar zbatimin e reformës, duke ngritur një bunker në mes të bulevardit”, u shpreh kryeministri.

Nga Vlora, kryeministri kishte një mesazh edhe për zgjedhjet e 18 qershorit: “18 qershori nuk do të vendosë se kush do ta qeverisë vendin, por se si do të jetë Shqipëria pas 10 viteve. Edhe ne si njerëz jemi të gabueshëm, kemi bërë gabime, por nëse ka vullnet të përbashkët mes nesh dhe qytetarëve, mund të vendosim pikën mbi “i” në këtë fazë të parë të procesit të të bërit shtet, duke nisur nga zbatimi i reformës në drejtësi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA